Klubi i Manchester Cityt po përgatitet të dërgojë një ofertë të re zyrtare në drejtim të Nottingham Forest për mesfushorin Elliot Anderson. Pas refuzimit të ofertës fillestare javën e kaluar, drejtuesit e klubit synojnë të finalizojnë marrëveshjen sa më parë, duke e konsideruar lojtarin si një objektiv kryesor që prej muajit mars.
Në garën për shërbimet e Anderson është përfshirë edhe Manchester United, megjithatë raportimet nga Anglia theksojnë se Manchester City mbetet favorit, pasi vetë futbollisti ka shprehur interes për t'iu bashkuar skuadrës. Nottingham Forest ka vendosur një çmim të lartë për kartonin e mesfushorit, duke kërkuar mbi 100 milionë euro.
Elliot Anderson, i cili iu bashkua Nottingham Forest në vitin 2024 nga Newcastle United për vlerën e 41 milionë eurove, regjistroi një edicion të suksesshëm 2025/26. Në 50 ndeshje të zhvilluara në të gjitha kompeticionet, ai kontribuoi me 4 gola dhe 5 asistime. Drejtuesit e Manchester Cityt vlerësojnë profilin e lojtarit dhe besojnë se ai do të përshtatet me projektin afatgjatë të ekipit.