Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Eman Rrahmani, ka deklaruar se është kundër çdo bashkëpunimi qeverisës me Lëvizjen Vetëvendosje (LVV). Në një intervistë për RTV21, Rrahmani e cilësoi qeverisjen aktuale si të dëmshme për vendin, duke shtuar se përfshirja në një qeveri të tillë do të nënkuptonte pranimin e keqqeverisjes së gjashtë viteve të fundit.
"Unë nuk besoj se duhet të përfshihemi në një keqqeverisje me një pushtet që ka përdorur çdo mjet propagandues, nxitës dhe përçarës ndaj popullit dhe kategorive që kontribuojnë për shoqërinë. Çdo bashkëpunim do të nënkuptonte ndarjen e përgjegjësisë dhe pranimin si të mirëqenë të kësaj qeverisjeje", deklaroi deputeti. Ai gjithashtu vlerësoi se situata politike në vend është jashtëzakonisht e rëndë dhe se institucionet nuk po funksionojnë si duhet, duke theksuar se vendi po shkon drejt autoritarizmit.
Lidhur me përpjekjet e mundshme për marrëveshje për postin e presidentit, Rrahmani u shpreh se kjo nuk duhet të shihet si bazë për koalicion. Sipas tij, çdo subjekt opozitar që do të pranonte një marrëveshje të tillë vetëm për çështje postesh do të dilte humbës në planin politik. "Nëse partitë duan bashkëqeverisje, atëherë duhet të jenë pjesë e ekzekutivit. Çdo pranim i një marrëveshjeje vetëm për zgjedhjen e presidentit është humbje për partitë opozitare. Mendoj se nuk duhet të ketë asnjë lloj bashkëpunimi me pushtetin", përfundoi ai.