Emilia Rexhepi, ish-nënkryetare e Kuvendit nga Partia e Re Demokratike që përfaqëson komunitetin boshnjak, ka deklaruar se respekton vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese. Ky vendim i jep të drejtë Listës Serbe që ta ketë nënkryetarin e Kuvendit nga komuniteti serb.
Ajo tha se si grup parlamentar nuk kanë vendosur ende nëse do ta mbështesin kandidatin e Listës Serbe për postin e nënkryetarit. “Unë, si deputete, vazhdimisht i respektoj të gjitha vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Duhet të respektohet Kushtetuta. Tash nuk e di se çfarë qëndrimi si grup do ta kemi, por patjetër, si deputetë, duhet ta respektojmë Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe vendimet e Gjykatës”, u shpreh Rexhepi për RTV21.
Rexhepi preferon që procesi i votimit për nënkryetarët e Kuvendit të kryhet veç e veç, jo në paketë. “Për ne është më mirë të mos shkohet në pako votimi për nënkryetarët e Kuvendit nga komunitetet, por të votohet veç e veç për nënkryetarin nga komuniteti serb dhe për atë nga komunitetet joserbe. Do ta shohim në Parlament, në rendin e ditës, se si do të shkojë situata. Ndarja nga pako është në rregull dhe nuk përbën shkelje kushtetuese, sepse unë e kam vendimin e Gjykatës Kushtetuese për nënkryetarët nga komunitetet e tjera. Mundemi të votojmë edhe veç e veç”, shtoi ajo.
Sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për rastin Rashiq, vetëm shumica e deputetëve serbë mund të propozojnë kandidatin për nënkryetar nga komuniteti serb.