Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, ka kritikuar ashpër situatën politike në vend gjatë fjalimit në Kuvendin e Kosovës. Ai vlerësoi se, që nga viti 1999, Kosova nuk ka përjetuar një gjendje më të rrezikshme dhe më të rëndë se kjo aktuale.
Sipas Hoxhajt, themelet e shtetit janë rrënuar, duke iu referuar ngjarjeve të gushtit. Ai e përkufizoi bllokadën e punës së Kuvendit si një "puç kushtetues" dhe akuzoi kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, dhe Lëvizjen Vetëvendosje për shuarje të demokracisë. Deputeti opozitar theksoi se ekziston një suprimim i trefishtë në Kosovë:
- Suprimimi i vullnetit politik, pasi vota e qytetarëve nuk po krijon institucione.
- Suprimimi i përfaqësimit politik, ku vota e deputetëve mbetet pa efekt.
- Suprimimi i vetë institucioneve të Republikës.
Në lidhje me këtë situatë, Hoxhaj bëri thirrje për pjesëmarrje në protestën e organizuar nga komunat, si dhe për marshin për drejtësi që është planifikuar të mbahet më 12 shtator. Në sallën e Kuvendit, së bashku me deputetët e PDK-së, të pranishëm ishin edhe përfaqësues të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, të cilët kërkuan vazhdimin e seancës konstituive të legjislaturës së njëmbëdhjetë.