Enver Hoxhaj, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ka reaguar pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga pozita e kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).
Hoxhaj e ka përshkruar këtë vendim si shprehje të vetëdijes së lartë politike dhe përgjegjësisë institucionale. "Ramush Haradinajt i shpreh respekt për bashkëpunimin institucional dhe për vendimet që kemi marrë së bashku në shërbim të shtetit, në kohë jo të lehta për Kosovën", ka theksuar ai.
Deputeti ka vlerësuar rolin e Haradinajt në proceset kyçe të shtetndërtimit. "Kontributi i tij dhe i familjes së tij në luftën çlirimtare dhe në konsolidimin e shtetësisë sonë është pjesë e pandashme e rrugëtimit të Republikës", ka deklaruar Hoxhaj.
Ai ka nënvizuar se "Kosova është ndërtuar mbi sakrificë, përgjegjësi dhe vizion shtetformues, vlera që duhet t’i ruajmë dhe forcojmë çdo ditë".
Sa i përket dorëheqjes, Hoxhaj ka thënë: "Akti i dorëheqjes së z. Haradinaj është shprehje e vetëdijes së lartë të një politikani, i cili dëshiron të hapë rrugë, duke dëshmuar se është guximtar në paqe, ashtu siç ishte trim në luftë".
Sipas tij, "ky është një shembull që do të na shërbejë si mësim për të ardhmen demokratike të Kosovës".