Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), deklaroi se emërimet e fundit të tre zëvendësministrave nga kryeministri në detyrë Albin Kurti janë ligjërisht të lejuara, por të panevojshme dhe të pahijshme në këtë periudhë.
Në një deklaratë për media më 2 maj 2026, Haradinaj theksoi se këto veprime nuk duken të hijshme në prag të zgjedhjeve, të cilat janë shpallur dhe kanë mbetur vetëm 40 ditë deri në votim. Ai vlerësoi se qeveria duhet të angazhohet në përmbushjen e detyrave ekzistuese, në vend që të kryejë emërime të reja gjatë fushatës.
"Me ligj nuk e di që është keq, por është e pahijshme tash dhe e panevojshme realisht. Nuk e shoh pse duhet të ndodhë në këtë mënyrë tani", u shpreh Haradinaj.
Kritika të ngjashme për këto emërime kanë ardhur edhe nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).
Përgatitjet e AAK-së për zgjedhje
Sa i përket përgatitjeve të AAK-së për zgjedhjet e ardhshme, Haradinaj bëri të ditur se partia është e gatshme për garë, pavarësisht proceseve të brendshme. Listës zgjedhore të AAK-së do t’i prijë Ardian Gjini, kandidat për kryeministër dhe kryetar i Gjakovës.
"Ne jemi vazhdimisht në terren, pranë strukturave dhe votuesve. Ardian Gjini është një figurë politike me përvojë, shembull i politikës dhe aktualisht kryetar i Gjakovës, ku jep shembull të qeverisjes së mirë", deklaroi Haradinaj, duke shprehur besim te suksesi i partisë.