Situata epidemiologjike në Republikën Demokratike të Kongos mbetet shqetësuese për shkak të përhapjes së virusit Ebola. Sipas të dhënave më të fundit të autoriteteve shëndetësore, numri i të prekurve ka arritur në 1155 persona, ndërsa 304 prej tyre kanë humbur jetën. Shkalla e vdekshmërisë nga ky virus, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), varion nga 25% deri në 90%.
Ekspertët bëjnë me dije se ky shpërthim është shkaktuar nga varianti Budibugio, i cili cilësohet si një lloj i rrallë dhe më kompleks për t'u menaxhuar krahasuar me llojin Zaire, për të cilin ekziston një vaksinë. Përmirësimi i mbikëqyrjes epidemiologjike ka ndihmuar në evidentimin më të hershëm të rasteve, megjithatë autoritetet vlerësojnë se virusi ka qarkulluar i pazbuluar për një periudhë kohe përpara shpalljes zyrtare të epidemisë.
Sipas të dhënave historike, Republika Demokratike e Kongos është përballur me shpërthime të rënda edhe në të kaluarën. Më i rëndi i regjistruar është ai i periudhës 2018–2020, kur u raportuan rreth 3500 raste dhe 2300 viktima. Në shkallë kontinentale, OBSH raporton se Ebola ka shkaktuar të paktën 15,000 vdekje në Afrikë gjatë pesë dekadave të fundit.
Përditësime
Autoritetet shëndetësore raportuan sot përhapjen e epidemisë së Ebolas në 34 zona shëndetësore në provincat Ituri, Kivuja Veriore dhe Kivuja Jugore, ku deri më tani numërohen 1.155 të infektuar dhe 304 viktima. Zhvillimet e fundit përfshijnë:
- Shërimin e 138 personave.
- Vendosjen e karantinës së detyrueshme 21-ditore për udhëtarët nga zonat e prekura.
- Nevojën për 1,4 miliardë dollarë për planin e reagimit, nga të cilat është disbursuar vetëm 13% e fondeve.
Epidemia e Ebolas në Kongo ka shënuar një përkeqësim të mëtejshëm, duke regjistruar 48 infeksione të reja dhe 17 viktima shtesë. Bilanci i përgjithshëm zyrtar arrin tashmë në 1,203 raste dhe 321 të vdekur. Aktualisht, 148 persona janë shëruar, ndërsa 419 pacientë janë nën trajtim spitalor ose izolim. Përpjekjet për frenimin e virusit po ndeshen me dy pengesa kryesore: rezistencën e komunitetit ndaj procedurave të testimit post-mortem dhe vështirësitë në gjurmimin e kontakteve të të infektuarve.