Këngëtari Ermal Meta ka publikuar një mesazh mbështetës për qytetarët shqiptarë, të cilët prej muajsh janë angazhuar në protestat e njohura si “Revolucioni i Flamingove”. Gjatë shpalosjes së këngës së tij më të re, të titulluar “Nu simu niente” (“Ne nuk jemi asgjë”), artisti nënvizoi rëndësinë e mbrojtjes së territorit dhe mjedisit përballë interesave të mëdha industriale dhe korporative.
Në fjalën e tij, Meta vlerësoi forcën dhe dinjitetin e njerëzve të thjeshtë, veçanërisht të fermerëve, të cilët po përballen me pushtete të mëdha për të mbrojtur tokën e tyre. “Është një këngë që flet për njerëzit, për njerëzit që e kuptojnë se ne nuk jemi asgjë, por që ndoshta kemi ende një gjë të vogël, fuqinë për t’u ngritur në këmbë kundër atyre që duan të na uzurpojnë tokën tonë”, u shpreh ai. Në fund të mesazhit, artisti theksoi se toka, për sa kohë që banorët janë aty, është e tyre dhe nuk mund të shitet ose blihet.
Artisti e lidhi këtë kauzë shqiptare me sfida të ngjashme që po ndodhin aktualisht në Itali, duke evidentuar luftën e komuniteteve në Pulia, Ostuni dhe Sardenjë kundër tjetërsimit të territorit. Me këtë reagim, Ermal Meta i bashkohet listës së figurave të tjera të njohura të skenës ndërkombëtare, si këngëtarja Dua Lipa, që kanë reaguar mbi këtë çështje në Shqipëri.