Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ermal Sadiku, ka kërkuar reagim institucional pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara, të cilat shpallën fajtorë ish-presidentin Hashim Thaçi dhe bashkëluftëtarët e tij, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, për krime lufte. Në një postim në rrjetet sociale, Sadiku propozoi mbledhjen e deputetëve shqiptarë në një seancë të jashtëzakonshme për ta rizgjedhur Hashim Thaçin president.
Sipas deputetit të LDK-së, ky veprim do të siguronte 100 vota për ish-presidentin dhe do të shërbente si një mesazh ndaj Gjykatës Speciale dhe Serbisë për të treguar, sipas tij, legjitimitetin e përfaqësimit politik. Ai shkroi: “Sonte isha mbledhë me krejt deputetët shqiptarë dhe e kishim votu Hashim Thaçin për President të Republikës. 100 vota. Me ia tregu edhe Gjykatës Speciale, edhe Serbisë, në emër të kujt po marrin vendime”.
Në të njëjtën linjë, zyrtari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj, bëri thirrje për një seancë të jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës. Ai theksoi se deputetët duhet të mblidhen pavarësisht mungesës së kryeministrit Albin Kurti, i cili ndodhet jashtë vendit.
Përditësime
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Mërgim Lushtaku, zyrtarizoi mbështetjen e grupit të tij parlamentar për nismën e deputetit Ermal Sadiku. Lushtaku konfirmoi se deputeti Sadiku ka siguruar tashmë nënshkrimet e të gjithë deputetëve të PDK-së për këtë propozim. Lëvizja pason thirrjet për një seancë të jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës lidhur me votimin e Hashim Thaçit për president.