Më 12 gusht, një eklips total diellor do të jetë i dukshëm nga pjesë të Evropës dhe hemisferës veriore, duke shënuar një ngjarje astronomike të rrallë. Fenomeni ndodh kur Hëna kalon midis Tokës dhe Diellit, duke mbuluar plotësisht diskun diellor përgjatë një brezi të ngushtë të njohur si "shtegu i totalitetit". Ky do të jetë eklipsi i parë total diellor i dukshëm nga Evropa kontinentale që nga viti 1999.
Zonat e prekura dhe kohëzgjatja
Sipas NASA-s, hija e Hënës do të përshkojë Rusinë veriore, Groenlandën, Islandën, Spanjën dhe një pjesë të vogël të Portugalisë verilindore. Në Spanjë, eklipsi do të jetë veçanërisht i dukshëm në pjesën veriore, lindore dhe në Ishujt Balearik. Në rajonin e Burgos, totaliteti pritet të zgjasë rreth 1 minutë e 44 sekonda, ndërsa në pikat më të favorshme përgjatë gjithë rrugës, kohëzgjatja mund të arrijë në 2 minuta e 18 sekonda.
Këshilla për vëzhgim
Ekspertët theksojnë se vëzhgimi i drejtpërdrejtë i Diellit pa mbrojtje është i rrezikshëm. Për të gjitha fazat e pjesshme, është e domosdoshme përdorimi i syzeve të certifikuara për eklips ose filtrave diellorë. Syzet e zakonshme të diellit nuk ofrojnë mbrojtje adekuate. Filtra diellorë specialë kërkohen gjithashtu për teleskopët, dylbitë dhe kamerat. Vetëm ata që ndodhen brenda zonës së totalitetit mund t'i heqin mbrojtëset për pak çaste kur Hëna mbulon plotësisht diskun e Diellit, por duhet t'i vendosin ato sërish sapo të fillojë rishfaqja e dritës.
Përditësime
Eklipsi do të nisë zyrtarisht në orën 15:34. Shkencëtarë nga Universiteti i Padovës dhe Universiteti i Torinos do të zhvillojnë një eksperiment shkencor në Observatorin Astrofizik Javalambre në Spanjë. Ekipi do të testojë një spektrometër të ri që mundëson kapjen e spektrit të koronës diellore në një fotografi të vetme, duke tejkaluar limitet teknike të instrumenteve të mëparshëm.
Qytetarët në Kosovë do të kenë mundësi të vëzhgojnë eklipsin e pjesshëm të diellit duke filluar nga ora 19:29. Kulmi i këtij fenomeni pritet në orën 19:38, përpara se Dielli të perëndojë në orën 19:41. Ekspertët këshillojnë vëzhgimin nga pika të larta dhe pa pengesa për shkak të pozicionit të ulët të Diellit afër horizontit. Si alternativë ndaj syzeve speciale, qytetarët mund të përdorin kullesën e kuzhinës si projektor për të shmangur dëmtimet e shikimit.