Policia e Shtetit dhe Europol konfirmuan bashkëpunimin në luftën kundër krimit të organizuar dhe krimeve të rënda gjatë një takimi të zhvilluar në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë në Tiranë.
Delegacioni i Europol-it, i përbërë nga përfaqësues të Qendrës për Krimin e Organizuar dhe Krimet e Rënda (SOCC), u kryesua nga Jean Yves Goriou, drejtues i Njësisë kundër Krimit të Organizuar, dhe u shoqërua nga Roberto Garbini, zëvendësdrejtues i Ekipit për Organizatat Kriminale me Rrezikshmëri të Lartë.
Takimi u drejtua nga Drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale, Neritan Nallbati, dhe u fokusua në forcimin e bashkëpunimit operacional dhe strategjik mes Policisë shqiptare dhe Europol-it.
Palët diskutuan prioritete të përbashkëta, si zhvillimin e hetimeve proaktive të bazuara në inteligjencë, shkëmbimin e informacionit me Europol-in dhe shtetet anëtare të BE-së, si dhe goditjen e grupeve kriminale me rrezikshmëri të lartë dhe lidhje ndërkombëtare.
U trajtua gjithashtu përfshirja e Policisë shqiptare në prioritetet dhe planet operacionale të EMPACT për vitet 2026-2027, bashkë me luftën kundër krimit mjedisor, trafikimit të drogës, trafikimit të qenieve njerëzore dhe emigracionit të paligjshëm.
Gjithashtu u përcaktua koordinimi i hetimeve paralele, hetimet pasurore dhe mbështetja teknike e operacionale që Europol do të ofrojë për çështje konkrete në ndjekje.
Në përfundim, përfaqësuesit e Policisë së Shtetit theksuan angazhimin për të vënë në dispozicion kapacitetet dhe ekspertizën policore në nisma të përbashkëta rajonale dhe europiane kundër krimit të organizuar. Vitet e fundit, Policia e Shtetit ka intensifikuar bashkëpunimin me Europol-in në hetime për rrjete kriminale ndërkombëtare dhe krime me shtrirje ndërkufitare.
Përditësime
Policia e Shtetit ka nisur implementimin e strategjisë së re kundër krimit të organizuar.
Drejtuesi Madhor Ilir Proda deklaroi angazhimin për prioritetet rajonale, evropiane dhe globale, sipas njoftimit zyrtar.