Eva Dumani, 14 vjeçe, ka mbërritur paraditen e 14 shkurtit 2026 në aeroportin e Rinasit nga Turqia, pas një operacioni sekret të qeverisë shqiptare në bashkëpunim me partnerë të huaj.
Ky operacion, i zhvilluar gjatë disa javësh, ka përfshirë Drektorinë e Marrëdhënieve me Jashtë në Policinë e Shtetit dhe zyrtarë të Antiterrorit, të ndihmuar nga autoritetet turke. Burime qeveritare ia kanë konfirmuar këtë gazetarit Muhamed Veliu të Top Channel.
Eva Dumani dhe vëllai i saj Endri Dumani, 12 vjeç, ishin dy nga 80 fëmijët dhe gratë e mbetur në kampin Al-Haël në Siri pas rënies së Shtetit Islamik. Ata mbetën të vetëm pasi gjyshja e tyre, Mendije Dumani, e cila kishte shkuar për t'i shpëtuar, ndërroi jetë.
Në një status në Facebook, një shqiptar në Siri, i njohur si Amar El Albani, përshkroi momentet e fundit të Mendije Dumani: "Gjendja e saj ishte përkeqësuar edhe më shumë dhe ata (kurdët) nuk kishin asnjë shqetësim për ta hedhur atë në tokë pranë pazarit duke i thirrur motrat 'merreni motrën tuaj'. Askush nuk e dinte në fillim se kush ishte, ose ku ishte çadra e saj derisa një motër e njohu dhe na informoi se ajo ishte motër shqiptare".
Disa vite më parë, gjatë një misioni evakuimi, Endri Dumani u kthye në Shqipëri, ndërsa Eva Dumani refuzoi të largohej nga kampi.
Përditësime
Eva Dumani ka lëshuar mesazh zanor të ri: «Kam vendosur të mos kthehem më. Talhen (Endrin) e çova, merre ti. Ka një çantë blu amanet».
Eva Dumani ishte 8 vjeçe dhe vëllai Endri 6 vjeç kur babai i rrëmbeu drejt Sirisë për t’u bashkuar xhihadistëve të Shtetit Islamik. Babai u vra më pas.
Gjyshja udhëtoi në Siri për t’i rikthyer pas vrasjes së babait.