Dylber Shuli u nda nga jeta pa arritur të përqafonte pesë nipërit dhe mbesat e tij, të cilët prej më shumë se një dekade ndodhen në kampet e Sirisë. Historia e familjes nisi në vitin 2013, kur i biri i tij, Krenar Shuli, u largua drejt Sirisë bashkë me familjen. Pas vdekjes së prindërve, fëmijët mbetën të ngujuar në kampet siriane. Vajza më e madhe, Elona, e cila ishte e mitur në kohën e largimit, u martua në Siri, ku lindi edhe një fëmijë.
Ndër vite, Dylber Shuli ndoqi me vëmendje çdo operacion riatdhesimi të shtetasve shqiptarë, me shpresën se mes të kthyerve do të ishin edhe të afërmit e tij. Megjithëse Shqipëria ka zhvilluar disa operacione, si ato të vitit 2020 ku u kthyen 5 persona, të vitit 2022 me 13 shtetas, si dhe kthimin e Eva Dumanit në shkurt të këtij viti, fatet e fëmijëve të familjes Shuli mbetën të pazgjidhura. Deri në ditët e fundit të jetës, ai vazhdoi t'u drejtohej publikisht institucioneve shqiptare, duke kërkuar riatdhesimin e nipërve dhe mbesave, me moton: “Kam shpresë deri sa të vdes”.