Familja e heroit të Kosovës, Idriz Rrecaj, ka bërë të ditur për opinionin publik se ende nuk është hapur e pamja për nder të tij. Përmes një njoftimi të publikuar në rrjetet sociale, djali i heroit, Shpëtim Rreci, sqaroi se familja është në pritje të përfundimit të procedurave të nevojshme nga Instituti i Mjekësisë Ligjore.
Sipas njoftimit zyrtar, si hapja e të pamës, ashtu edhe ceremonia e varrimit, do të zhvillohen vetëm pas përfundimit të të gjitha veprimeve ligjore dhe teknike nga autoritetet përkatëse. Familja ka theksuar se do të njoftojë publikun me kohë lidhur me datën dhe detajet e tjera mbi këtë proces. Shpëtim Rreci shprehu mirënjohje të thellë ndaj familjarëve, miqve dhe bashkëvendasve për durimin dhe mbështetjen e treguar në këto momente të vështira për familjen Rrecaj.
Idriz Rrecaj ishte një nga viktimat e identifikuara si pjesë e të ashtuquajturit Grupi i Intelektualëve. Eshtrat e anëtarëve të këtij grupi janë gjetur së fundmi në një varrezë masive në Zubin Potok, një zhvillim që ka tërhequr vëmendjen e opinionit publik në vend.