Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, bëri homazhe për Idriz Rrecajn, eshtrat e të cilit, pas një pritjeje të gjatë e të dhimbshme, u kthyen në vendlindje për t’u rivarrosur pranë familjes në Skenderaj.
Në një postim, Haxhiu kujtoi figurën dhe sakrificën e Rrecajt, i cili ishte pjesë e “Grupit të Intelektualëve”, një grup atdhetarësh të angazhuar për vendin dhe lirinë e Kosovës. Ajo tha se anëtarët e grupit u shënjestruan nga forcat serbe, me synimin për t’i zhdukur dhe për të zhdukur gjurmët që lanë pas, por kujtimi për ta nuk u shua.
“Eshtrat e Idrizit u gjetën dhe sot ai kthehet në tokën për të cilën dha jetën”, shkroi Haxhiu. Sipas saj, sakrifica e Rrecajt dhe e veprimtarëve të tjerë të grupit për një Kosovë të lirë, që përcakton vetë fatin e saj, nuk do të harrohet.
Haxhiu vlerësoi se gjetja dhe rivarrimi përbëjnë një hap drejt drejtësisë dhe një ngushëllim për familjen, e cila priti për vite të tëra për të mësuar fatin e të dashurit të saj. Ajo rikujtoi se familje të tjera ende presin përgjigje për fatin e të afërmve të tyre të zhdukur me dhunë dhe theksoi se kërkimi duhet të vazhdojë deri në zbardhjen e së vërtetës.
Në përfundim të postimit, Haxhiu nderoi jetën dhe veprën e Rrecajt dhe uroi që kujtimi për të të jetë i përjetshëm.