Gazeta gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ) ka publikuar një koment mbi aktgjykimin e Gjykatës Speciale ndaj ish-udhëheqësit të UÇK-së, Hashim Thaçi. Sipas gazetës, vendimi juridik aktual përbën vetëm “fjalën e parafundit”, pasi mbetet e hapur mundësia për ankimim në një proces apelimi. Megjithatë, duke iu referuar gjendjes së provave, FAZ vlerëson se gjasat që një ankimim i tillë të sjellë lirimin e tij nga akuzat janë të ulëta.
Në analizën e saj, gazeta thekson se kohëzgjatja e dënimit prej 25 vitesh burgim duhet të jetë objekt debati, veçanërisht kur vihet në raport me dënimet e shqiptuara ndaj kriminelëve serbë të luftës. Gazeta paralajmëron se ky aktgjykim nuk duhet të shërbejë për të mjegulluar përmasat historike të ngjarjeve të vitit 1999.
Sipas FAZ, konflikti në Kosovë u nxit nga politika e Serbisë së Madhe dhe regjimi i Slobodan Millosheviqit. Gazeta thekson se forcat e sigurisë serbe kryen krime në shkallë shumë më të lartë sesa ato që i atribuohen Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në këtë kontekst, komenti vlerëson se procesi në Hagë nuk është një gjykim ndaj shqiptarëve të Kosovës apo ndaj UÇK-së si institucion, pasi lufta për pavarësi përballë shtypjes serbe cilësohet si e pashmangshme dhe e drejtë.