FIFA ka njoftuar rritje të çmimeve të biletave për finalen e Kupës së Botës 2026, duke e çuar çmimin maksimal në 10.990 dollarë (rreth 9.533 euro). Ky vendim u zbatua gjatë fazës së fundit të shitjeve të hapura më 2-3 prill 2026, duke prekur të gjitha kategoritë.
Krahasuar me shitjet fillestare pas shortit të dhjetorit 2025, ku bileta më e shtrenjtë kushtonte 8.680 dollarë (rreth 7.533 euro), rritja arrin deri në 38%. Në ofertën e organizatorëve SHBA, Kanadaja dhe Meksika, çmimi maksimal parashikohej 1.550 dollarë (rreth 1.345 euro). Për finalen e Katarit 2022, bileta më e shtrenjtë ishte 1.604 dollarë (rreth 1.392 euro).
Çmime të kategorive kryesore për finalen
- Kategoria 1: 10.990 dollarë (9.533 euro).
- Kategoria 2: Nga 5.575 dollarë në 7.380 dollarë, rritje 32,78% (nga 4.838 euro në 6.404 euro).
- Kategoria 3: Nga 3.631 euro në 5.020 euro, rritje 38,23%.
FIFA zbaton sistemin e çmimeve dinamike, ku çmimet ndryshojnë sipas kërkesës dhe disponueshmërisë. Kjo ka shkaktuar probleme teknike në platformën online, me pritje të gjata dhe gabime navigimi. Presidenti Gianni Infantino ka theksuar kërkesën rekord, e barabartë me "1.000 Botërorë njëkohësisht".
Reagimet janë negative nga tifozët, organizatat Euroconsumers dhe Football Supporters Europe, si dhe anëtarë të Kongresit amerikan, të cilët e quajnë turneun më pak të aksesueshëm financiarisht në histori. Edhe pse FIFA nuk ka publikuar strukturën e plotë të çmimeve, kërkesa mbetet e lartë.