Fiks Fare ka analizuar dokumentet zyrtare të Kuvendit të Shqipërisë për pagat dhe përfitimet e 140 deputetëve gjatë muajve tetor, nëntor dhe dhjetor 2025, si dhe janarit 2026.
Paga bazë mujore e deputetëve është 310 mijë lekë, prej të cilave neto transferohen 225 mijë lekë. Krahas kësaj, ata përfitojnë rimbursime mujore të tjera:
- Karburant: 40 mijë lekë;
- Shpenzime telefonie: 17-20 mijë lekë;
- Dieta për udhëtime brenda vendit: deri në 170-190 mijë lekë;
- Honorarë për mbledhjet e komisioneve të përhershme dhe nënkomisioneve: deri në 30 mijë lekë;
- Qira banese: 35-40 mijë lekë.
Në disa raste, deputetët rimbursojnë edhe fatura hoteli për udhëtime brenda ose jashtë Shqipërisë.
Deputetët e rinj, kryesisht të rizgjedhur, kanë të drejtë për pasaportë diplomatike sipas ligjit. Ata kërkuan dhe u rimbursua pagesa e kuponit të pasaportës në vlerë 7.500 lekë për 27 deputetë. Midis tyre janë Zegjine Çaushi, Sara Mile, Iris Luarasi nga mazhoranca qeveritare, Arian Ndoja, Enno Bozdo, Gent Strazimiri nga Partia Demokratike, si dhe Erald Kapri nga Partia Mundësia.
Hulumtimi tregon se dieta dhe honorarët arrijnë vlerën e pagës neto, duke dyfishuar të ardhurat mujore të deputetëve.