Gjatë mëngjesit të kësaj të hëne, pika kufitare e Kakavijës ka regjistruar një shtim të ndjeshëm të lëvizjeve, si pasojë e përfundimit të pushimeve për shumë emigrantë që jetojnë dhe punojnë në Greqi. Kthimi i tyre në vendet e punës ka shkaktuar radhë dhe vështirësi në qarkullim në këtë pikë doganore.
Autoritetet kufitare shqiptare po punojnë me kapacitet të shtuar, duke vënë në dispozicion tre sportele për daljet dhe dy sportele për hyrjet. Megjithatë, situata paraqitet e ngadaltë për shkak se pala greke po punon vetëm me një sportel në hyrje për ata që kalojnë nga Shqipëria.
Sipas të dhënave zyrtare të shërbimeve të policisë në Kakavijë për 24 orët e fundit, janë përpunuar gjithsej:
- 11 534 shtetas në hyrje-dalje (3 932 në hyrje dhe 7 602 në dalje);
- 3 228 mjete në hyrje-dalje (1 046 në hyrje dhe 2 182 në dalje).