Flukset migratore përgjatë rrugës së Ballkanit Perëndimor kanë shënuar rënie në fillim të vitit 2026. Sipas të dhënave të Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), në janar u regjistruan gjithsej 1.660 hyrje të parregullta në rajon. Ky numër paraqet rënie rreth 37% krahasuar me dhjetorin 2025 dhe rreth 12% më pak se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Në Shqipëri u identifikuan 64 hyrje në janar 2026, në rënie rreth 29% nga muaji paraardhës. Ky vend mbetet me numër relativisht të ulët regjistrimesh krahasuar me të tjerët në rajon.
Përqendrim në Bosnjë dhe Serbi
Raporti i IOM-së për "Flukset e përziera migratore në Ballkanin Perëndimor" tregon se pjesa më e madhe e hyrjeve të parregullta përqendrohet në Bosnja dhe Hercegovina dhe Serbi, nyje kryesore drejt Bashkimit Europian. Në janar 2026:
• Bosnja dhe Hercegovina: 732 hyrje;
• Serbia: 349 hyrje;
• Maqedonia e Veriut: 250 hyrje;
• Mali i Zi: 203 hyrje;
• Kosova: 62 hyrje.
Rënia mujore lidhet me faktorë sezonalë dhe intensifikim të kontrolleve kufitare gjatë dimrit.
Origjina e migrantëve në Shqipëri
Në Shqipëri, shtetasit egjiptianë dominojnë hyrjet. Në dhjetor 2025, rreth 68% e migrantëve të regjistruar ishin egjiptianë, 18% sirianë dhe 6% indianë. Në pjesën tjetër të rajonit dominojnë afganët, sudanezët dhe algjerianët, për shkak të ndryshimeve në itinerare dhe rrjete trafiku.
Qendrat e pritjes
Në nivel rajonal funksionojnë 37 qendra pritëse për migrantët, me kapacitet të përgjithshëm rreth 10.867 vendesh. Aktualisht, rreth 1.425 migrantë janë të akomoduar aty.