Forcat e Armatosura të Shteteve të Bashkuara dhe Forcat e Armatosura të Shqipërisë kanë zhvilluar një aktivitet të përbashkët trajnimi, me fokus kryesor përgatitjen për misionet e evakuimit mjekësor. Ushtrimet janë zhvilluar në Bazën Ajrore të Farkës dhe në Komandën e Forcës Tokësore.
Në kuadër të këtij aktiviteti, është kryer pajisja e kabinave të helikopterëve “UH-60 Black Hawk” për misione të tipit MedEvac. Përveç përgatitjeve logjistike, personeli ka testuar edhe pajisjet e monitorimit të pacientëve, me synimin që të ofrohet kujdes mjekësor gjatë fluturimit në operacione të ardhshme.
Në këtë trajnim ka marrë pjesë edhe gjeneralmajorja Lisa Hou, drejtoreshë e Zyrës së Shërbimeve Mjekësore në Byronë e Gardës Kombëtare të Shteteve të Bashkuara. Ajo ndoqi nga afër ushtrimet dhe vlerësoi aftësitë dhe profesionalizmin e dëshmuar nga personeli i Forcës Ajrore Shqiptare. Ky bashkëpunim është vlerësuar nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë si një hap që forcon partneritetin ndërmjet forcave të dy vendeve, duke ndikuar në rritjen e kapaciteteve për operacione reale të kërkim-shpëtimit.