Ushtarët e degës së përbashkët mjekësore të misionit të KFOR-it (JMED), në bashkëpunim me personelin e Komandës Rajonale-Lindje (RC-E), kanë zhvilluar një trajnim për evakuim mjekësor dhe familjarizim me helikopterët. Ky aktivitet është realizuar në Kampin Film City në Prishtinë dhe në Kampin Bondsteel në Ferizaj.
Trajnimi mblodhi personel mjekësor shumëkombësh dhe ekuipazhe të aviacionit nga e gjithë zona e operimit të KFOR-it, me synim forcimin e kapaciteteve për reagim në raste emergjente mjekësore. Gjatë këtij ushtrimi, pjesëmarrësit kryen procedura praktike për ngarkimin dhe shkarkimin e pacientëve në helikopterë aktivë dhe joaktivë, si dhe ushtruan teknikat e ngritjes së pacientëve me vinç ajror, të njohur ndryshe si "hoisting".
Sipas KFOR-it, përmes praktikës dhe shkëmbimit të përvojave, pjesëmarrësit përmirësuan njohuritë mbi sigurinë në aviacion dhe forcuan bashkëpunimin profesional ndërmjet njësive të misionit. Ky trajnim është pjesë e angazhimit të vazhdueshëm për ruajtjen e gatishmërisë mjekësore dhe ndërgjegjësimit situacional, duke kontribuar në garantimin e një mjedisi të sigurt për të gjithë qytetarët në Kosovë.
Misioni i KFOR-it vazhdon zbatimin e mandatit të tij në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, secili në rolet përkatëse në fushën e sigurisë.