Ministria e Brendshme franceze njoftoi se ka ndaluar hyrjen dhe qëndrimin në Francë për dhjetë shtetas britanikë, anëtarë të grupit Raise the Colours. Këta akuzohen se janë angazhuar në veprime për të penguar migrantët që të kalonin Kanalin Anglez me anije të vogla.
Aktivistët u kapën duke kërkuar dhe shkatërruar anije të vogla përgjatë bregdetit verior të Francës, si dhe duke kryer aktivitet propagandistik për të mobilizuar publikun britanik. Veprimet e tyre, të zbuluara në dhjetor 2025, sipas Ministrisë, mund të shkaktonin çrregullime serioze të rendit publik. Ndalimi u vendos vetëm për individët e përfshirë, jo për organizatën në tërësi.
Grupi Raise the Colours deklaroi se aktivitetet e tij janë gjithmonë paqësore dhe brenda ligjit, duke mohuar mbështetjen për dhunën ose veprime të paligjshme.
Ministri francez i Brendshëm, Laurent Nunez, u shpreh në platformën X se “shteti ligjor nuk është i negociueshëm, veprimet me natyrë të dhunshme ose që nxisin urrejtje nuk kanë vend në territorin tonë”.
Sipas të dhënave të Home Office, 41 472 migrantë kaluan Kanalin Anglez në vitin 2025, një rritje prej 13% krahasuar me vitin 2024. Mes 1 dhe 5 janarit 2026, 32 persona kaluan me anije të vogla.
Qeveria britanike ka shtyrë Francën të ndërmarrë masa për të ndaluar kalimet e paligjshme. Në nëntor u ra dakord që autoritetet franceze të fillojnë të ndërhyjnë në këto kalime me anije të vogla.