Raporti i ri i Freedom House, i publikuar më 22 tetor 2026, konstaton se liria në internet në mbarë botën ka rënë për të gjashtëmbëdhjetin vit radhazi. Sipas raportit, përpjekjet e qeverive autoritare për të kufizuar qasjen në internet, keqpërdorimi i ligjeve dhe përmbajtjet e krijuara me inteligjencë artificiale kanë krijuar pengesa të reja për lirinë e shprehjes dhe qasjen në informacion.
Raporti përmend Serbinë, ku protestat kundër qeverisë, të udhëhequra nga studentët, nisën pas shembjes së strehës prej betoni në një stacion hekurudhor më 2024. Në ngjarje humbën jetën 16 njerëz. Sipas raportit, pushteti i shtypi protestat, shumë prej të cilave u organizuan me ndihmën e mjeteve digjitale. Serbia ruajti statusin “pjesërisht e lirë” për lirinë në internet, kategori në të cilën ndodhet që nga viti 2024; më parë vlerësohej si “e lirë”. Raporti nuk përmend vende të tjera të Ballkanit Perëndimor.
Kian Vesteinsson, autor i raportit dhe zëvendësdrejtor për hulumtime në Freedom House, tha se regjimet autoritare po e shndërrojnë internetin në një sistem kontrolli, duke ndikuar se kush mund të lidhet, çfarë mund të shohë dhe nëse zëri i tij mund të dëgjohet. Ai tha gjithashtu se diktatorët po investojnë për t’i mbajtur njerëzit jashtë rrjetit dhe se duhet investuar që censura të dështojë.
Drejtori ekzekutiv i organizatës, Jamie Fly, tha se aktorët autoritarë po e përdorin inteligjencën artificiale si armë. Ai bëri thirrje që aktivistët dhe mbrojtësit e të drejtave të njeriut të kenë qasje në teknologjitë më të avancuara, për t’iu kundërvënë kërcënimeve dhe për të përhapur lirinë në shoqëritë represive. Raporti vëren se gjatë vitit të kaluar njerëzit në mbarë botën përdorën mjete digjitale për t’u mobilizuar dhe për të organizuar protesta kundër qeverive.
Ndryshimet në vendet e analizuara
Liritë në hapësirën digjitale u përkeqësuan në 16 nga 38 vendet e analizuara. Irani shënoi rënien më të madhe, duke iu bashkuar Kinës dhe Mianmarit mes vendeve me kushtet më të këqija për lirinë në internet. Rënie të ndjeshme pati edhe në Jordani dhe Nigeri. Gjeorgjia kaloi nga kategoria “e lirë” në “pjesërisht e lirë”. Freedom House ia atribuoi këtë shtypjes së aktivizmit në internet dhe të shprehjes së qëndrimeve që autoritetet i konsideronin kritike ndaj partisë në pushtet, Ëndrra Gjeorgjiane.
Përmirësim u shënua në tetë vende. Bangladeshi pati përparimin më të madh për të dytin vit radhazi, pas reformave të ndërmarra pas rrëzimit nga pushteti të Sheikh Hasinës, sundimi dhjetëvjeçar i së cilës u karakterizua nga censura dhe mbikëqyrja e përhapur. Gambia shënoi përparim gradual pas largimit nga pushteti të Yahya Jammehut, pothuajse një dekadë më parë. Vetëm nëntë vende u vlerësuan si të lira; Estonia kishte mjedisin më të lirë në internet gjatë periudhës së analizuar.
Gjetjet për Iranin
Raporti thotë se autoritetet iraniane shtypën në janar lëvizjen protestuese kundër qeverisë, e cila u organizua pjesërisht përmes rrjeteve sociale. Sipas raportit, autoritetet vranë mijëra njerëz dhe burgosën rreth 50 mijë veta, përfshirë përdorues të rrjeteve sociale që kritikuan autoritetet ose shprehën mbështetje për protestuesit. Pas sulmeve të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit në shkurt, autoritetet vendosën censurë ekstreme në internet dhe e ndërprenë shërbimin në të gjithë vendin për rreth 88 ditë.