Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) mori pjesë për herë të parë në trajnimin për zhvillimin e liderëve të rinj ushtarakë, të organizuar në Qendrën “Marko Babić” të Ushtrisë Kroate. Trajnimi u përmbyll me një marshim taktik prej 88 kilometrash, nga Udbina deri te Kalaja e Kninit, njoftoi ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.
Pjesëtarët e FSK-së u stërvitën së bashku me ushtarakë nga Kroacia, Sllovenia, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi. Sipas Maqedoncit, pjesëmarrja e këtyre vendeve shënoi numrin më të madh të pjesëmarrësve të huaj në trajnim deri më tani.
Marshimi përmbyllës kishte domethënie simbolike dhe nderonte historinë dhe sakrificën e popullit kroat gjatë Luftës Atdhetare. Programi synon zhvillimin e qëndrueshmërisë fizike dhe mendore, aftësive drejtuese dhe vendimmarrjes në rrethana sfiduese.
Maqedonci përgëzoi pjesëtarët e FSK-së për përfaqësimin e tyre dhe tha se përvoja ndihmon në zhvillimin e aftësive të kuadrove ushtarake dhe në forcimin e bashkëpunimit ushtarak ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë. Ai falënderoi homologun e tij kroat, Ivan Anušić, dhe Ushtrinë Kroate për bashkëpunimin.