Forca e Sigurisë së Kosovës është angazhuar në ushtrimin shumëkombësh "Saber Junction 26", i cili është zhvilluar në Qendrën e Përbashkët Shumëkombëshe të Gatishmërisë në Hohenfels të Gjermanisë. Gjatë këtij aktiviteti, trupat e Kosovës u përfshinë në skenarë të ndryshëm luftarakë, duke zhvilluar trajnime intensive me forcat amerikane të Batalionit të Parë të Regjimentit të 4-të të Këmbësorisë, që shërbyen si forcë kundërshtare (OPFOR).
Sipas informacioneve, kontingjenti i FSK-së, i përfaqësuar nga një kompani e këmbësorisë së Regjimentit të Tretë të Forcave Tokësore, është integruar në Brigadën Ajrore 173 të ushtrisë amerikane, përkatësisht në Batalionin 3-504 "Blue Devils". Gjatë ushtrimit, pjesëtarët e FSK-së kryen operacione sigurie në mbështetje të zbarkimit ajror, patrulla luftarake dhe operacione mbrojtëse.
Qëllimi i këtyre stërvitjeve ishte përballja me kushte reale presioni, duke testuar aftësitë e komandimit, koordinimin dhe vendimmarrjen e shpejtë në situata komplekse operative. Pjesëmarrja në këtë aktivitet u vëzhgua nga afër gjatë "Observation Day" nga komandanti i Komandës së Forcave Tokësore, gjeneral brigade Mehmet Lladrovci, i shoqëruar nga rreshter majori Naim Smakolli.
Njoftimet zyrtare të Ushtrisë Amerikane në Evropë dhe Afrikë theksojnë se këto stërvitje janë thelbësore për rritjen e ndërveprueshmërisë midis forcave aleate dhe partnere. Pjesëmarrja në "Saber Junction 26" u vlerësua si mundësi e rëndësishme për përmirësimin e procedurave të përbashkëta dhe forcimin e kapaciteteve profesionale të pjesëtarëve të FSK-së në operacione shumëkombëshe.
Përditësime
Pjesëtarët e FSK-së kanë avancuar trajnimin në 'Saber Junction 26' duke zhvilluar ushtrime taktike të tipit 'forcë kundër forcës' (force-on-force). Ky aktivitet u realizua në bashkëpunim me Batalionin e Parë të Regjimentit të 4-të të Këmbësorisë (OPFOR), duke testuar gatishmërinë operacionale të trupave kosovare në skenarë të simuluar luftarakë.
Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, konfirmoi zyrtarisht pjesëmarrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në stërvitjen shumëkombëshe 'Saber Junction 26'. Ministri Maqedonci publikoi fotografi nga terreni në Hohenfels, të cilat dëshmojnë angazhimin e trupave kosovare në operacionet stërvitore në Gjermani.