Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) po merr pjesë në ushtrimin shumëkombësh Dynamic Front 26, të organizuar nga Ushtria Amerikane për Evropë dhe Afrikë (USAREUR-AF). Ushtrimi zhvillohet në pesë shtete: Gjermani, Rumani, Poloni, Spanjë dhe Turqi.
Kontingjenti i FSK-së, nga Regjimenti i Tretë i Këmbësorisë me një togë mortajash, ka zbarkuar në zonën stërvitore Grafenwöhr Training Area në Gjermani, me kapacitetet logjistike të veta, duke përfshirë automjetet, armatimin dhe municionin. Ky ushtrim teston ndërveprueshmërinë e ushtrive të NATO-s dhe forcave partnere në fushën e artilerisë dhe zjarrit indirekt.
FSK-ja ka vepruar bashkëngjitur me Regjimentin 4-319 të Artilerisë Fushore të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Togu i mortajash, me elementët e Vijës së Zjarrit, Qendrës së Drejtimit të Zjarrit dhe Vëzhguesve të Përparëm, si dhe me mortaja 120 mm, ka realizuar qitje mbi objektiva në koordinim me trupat amerikane dhe ato italiane.
Gjatë ushtrimit, FSK-ja ka demonstruar aftësitë në qitje me mortaja gjatë ditës dhe natës, si dhe ka shkëmbyer mësime dhe praktika më të mira me forcat partnere. Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka theksuar se FSK-ja dëshmon çdo ditë profesionalizmin dhe disiplinën në ndërveprim me partnerët për paqen dhe sigurinë.