Klubi anglez i Fulhamit ka arritur një marrëveshje me Real Madridin për transferimin e dy futbollistëve të akademisë "La Fabrica", Gonzalo Garcia dhe Cesar Palacios. Ky operacion, i cili kap vlerën e përgjithshme prej 80 milionë eurosh, është ndjekur me përparësi nga trajneri i ri i Fulhamit, Alvaro Arbeloa, i cili ka kërkuar ribashkimin me lojtarët që ka njohur më parë në akademinë madrilene.
Sipas raportimeve të mediave, përfshirë COPE dhe Marca, Fulhami do të paguajë 70 milionë euro për kartonin e sulmuesit Gonzalo Garcia. Me këtë shumë, 22-vjeçari bëhet shitja më e shtrenjtë e Real Madridit për këtë verë, duke tejkaluar edhe transfertën e Nico Paz te skuadra e Comos, e cila solli 60 milionë euro në arkat e klubit spanjoll. Për lojtarin Gonzalo Garcia, raportohet gjithashtu se Real Madridi ruan të drejtën për blerjen e kartonit në të ardhmen.
Në të njëjtën kohë, palët kanë rënë dakord edhe për transferimin e mesfushorit Cesar Palacios. Për 21-vjeçarin, i cili gjatë sezonit të kaluar regjistroi 10 paraqitje me ekipin e parë të Real Madridit, do të paguhet shuma prej 10 milionë eurosh. Si pjesë e marrëveshjes, Real Madridi do të mbajë 30% të të drejtave ekonomike mbi lojtarin.
Ndonëse trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, kishte shprehur dyshime rreth largimit të Gonzalo Garcias, duke e vlerësuar atë si një element të rëndësishëm për skuadrën, drejtuesit e klubeve kanë arritur akordin përfundimtar. Ky transferim shënon një lëvizje të rëndësishme në merkaton e verës për të dyja palët.