Një jaht luksoz me gjatësi 30 metra u fundos në ujërat midis ishullit Cappuccini dhe Capo Ferro në Costa Smeralda, Itali, pas një avarie teknike. Incidenti ndodhi mbrëmjen e së martës, më 11 gusht, kur një defekt në motor dyshohet se shkaktoi një zjarr në bord. Ndonëse flakët u vunë shpejt nën kontroll nga ekuipazhi, depërtimi i ujit në trupin e anijes bëri që ajo të fundosej në një thellësi prej rreth 7 metrash.
Në momentin e ngjarjes, në bord ndodheshin 14 persona, përfshirë ekuipazhin dhe pasagjerët. Sipas raportimeve, 12 prej tyre u transferuan menjëherë në një mjet tjetër lundrues në afërsi, ndërsa pronari, një sipërmarrës italian, dhe një mik i tij qëndruan në bord deri në mbërritjen e Roja Bregdetare. Të gjithë personat u transportuan në Poltu Quatu dhe nuk raportohet për të lënduar.
Autoritetet portuale të La Maddalena-s po koordinojnë operacionet për sigurimin e mjetit. Ndonëse deri më tani nuk janë konstatuar rrjedhje karburanti, si masë paraprake janë vendosur barriera mbrojtëse për të parandaluar dëmet mjedisore në zonë. Pronari ka kontraktuar një kompani të specializuar për nxjerrjen e jahtit nga fundi i detit, operacion i cili pritet të kryhet nëpërmjet një vinçi lundrues me kapacitet ngritjeje prej 200 tonësh.
Balkan Web raporton se jahti nuk ishte një mjet i ri, por ishte prodhuar në vitin 2020 dhe kishte pasur pronarë të tjerë më parë, ndërsa burimet e tjera theksojnë se mjeti i ishte dorëzuar pronarit aktual vetëm katër ditë para ngjarjes.