Gazetari Artan Hoxha ka paraqitur këtë të hënë në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion (SPAK) audiopërgjimin origjinal të 21 janarit 2011, në lidhje me vrasjen e katër protestuesve në Bulevard.
Prej 15 korrikut 2024, dosja hetimore për këtë ngjarje është në duart e prokurorëve të SPAK-ut. Kjo erdhi pas vendimit të Gjykatës së Strasburgut, e cila e quajti ngjarjen krim shtetëror, dhe pas një vendimi të Gjykatës së Lartë.
Procedimi penal u regjistrua për tre vepra penale:
- Vrasja në rrethana të tjera cilësuese, e kryer në bashkëpunim, kundër dy ose më shumë personave dhe në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave;
- Shpërdorim i detyrës, e kryer në bashkëpunim;
- Kryerja e veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës, e kryer në bashkëpunim.
Hetimi synon vrasjen e Aleks Nikës dhe plagosjen e Artes Dybeli, Ilia Qesko dhe Ilia Papa.
Më herët, në një dalje televizive, Artan Hoxha dha detaje mbi regjistrimin. Ai tha se urdhri për vrasje ishte "gjakos, gjakos", i dhënë nga komandanti i Gardës, dhe se vrasjet u kryen në vetëm 8 sekonda. Përgjimi kap komunikimet me zinxhirin komandues, pas së cilave vijoi komanda "ndaloni zjarrin". Hoxha përmendi kode radioje si "luanë", "diamanti", "77", "korabi" dhe "220".