Gentrit Salihu u prezantua të hënën si futbollist i ri i Lokomotiva Zagreb, klubit elitar të Kroacisë. Mesfushori 22-vjeçar transferohet nga Prishtina, ku regjistroi 11 paraqitje dhe 1 gol në stinorin vjeshtor, si dhe u angazhua në ndeshjet kualifikuese për UEFA Europa League dhe UEFA Conference League.
Salihu shprehu kënaqësinë për transferin: "Jam shumë i lumtur që jam bërë pjesë e një klubi që njihet për punën e shkëlqyer me lojtarët e rinj. Lokomotiva është ambienti ideal për zhvillimin tim të mëtejshëm dhe do të jap maksimumin për të justifikuar besimin e stafit teknik dhe për ta ndihmuar ekipin në realizimin e objektivave."
Para se të kalonte te Prishtina, Salihu ka luajtur te të rinjtë e Portos, si dhe për Besën e Pejës dhe Dukagjinin në futbollin kosovar. Ai luan si mesfushor defensiv dhe ky transferim shihet si hap i rëndësishëm në karrierën e tij.
Lokomotiva Zagreb zë vendin e shtatë në kampionat me 22 pikë dhe ka histori bashkëpunimi me futbollistë shqiptarë. Transferimin e mundësuan menaxherët Muhamet Hoxha dhe Davide Vagheggi.