Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, inspektoi punimet në fshatin Kalludër e Vogël të Zubin-Potokut, ku po kryhen gërmime në një lokacion që dyshohet se shërben si varrezë masive për 23 persona të zhdukur me forcë gjatë luftës në Kosovë. Gjatë vizitës, ministrja theksoi rëndësinë e qasjes profesionale dhe u bëri thirrje palëve të përfshira që të shmangin spekulimet publike deri në daljen e rezultateve zyrtare mjeko-ligjore.
“Nuk është koha për fjalë të mëdha apo zhurmë, por për t’i lënë profesionistët të bëjnë punën e tyre”, deklaroi Gërvalla. Ajo shtoi se institucionet e Kosovës mbeten të përkushtuara në gjetjen e të pagjeturve dhe theksoi domosdoshmërinë e presionit të vazhdueshëm ndaj Serbisë për hapjen e arkivave të saj, me qëllim zbardhjen e fatit të mbi 1 mijë e 500 personave që vazhdojnë të mbeten të pagjetur edhe 27 vjet pas përfundimit të luftës.
Procesi i gërmimeve po koordinohet nga Prokuroria Speciale, ndërsa në terren janë angazhuar ekipet e Institutit të Mjekësisë Ligjore. Siguria në zonën e gërmimeve garantohet nga Policia e Kosovës, ndërsa misioni i EULEX-it po ofron mbështetje monitoruese.
Edhe kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka reaguar lidhur me këtë zhvillim, duke e cilësuar atë si një hap vendimtar në përpjekjet për ndriçimin e fatit të viktimave. Ajo garantoi mbështetje të plotë për të gjitha fazat, nga vlerësimi i lokacionit deri te identifikimi përfundimtar i mbetjeve mortore, duke ritheksuar të drejtën e familjarëve për të ditur vendndodhjen e të dashurve të tyre.
Përditësime
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, konfirmoi zyrtarisht se lokacioni në Kalludër është varrezë masive. Ajo theksoi se zbardhja e fatit të personave të zhdukur është thelbësore për drejtësinë dhe paqen me Serbinë, duke vlerësuar gërmimet si një përpjekje institucionale për adresimin e krimeve të luftës.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka kërkuar sot hapjen e arkivave ushtarake të Serbisë lidhur me gërmimet në Kalludër. Duke e cilësuar këtë si parakusht për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur, ai u ka bërë thirrje institucioneve ndërkombëtare që të rrisin presionin mbi Beogradin për sigurimin e të dhënave mbi lokacionet e varrezave masive.