Një objekt shpërthyes, i identifikuar si mortajë, është konstatuar mesditën e sotme në qytetin e Vlorës, në afërsi të kanalit të ujërave të larta. Objekti doli në sipërfaqe gjatë punimeve që po kryheshin për pastrimin dhe sistemimin e shtratit të këtij kanali, duke alarmuar banorët e zonës.
Pas sinjalizimit, shërbimet e Policisë kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje. Për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe kalimtarëve, policia ka vendosur një perimetër sigurie rreth zonës ku u gjet mjeti ushtarak. Aktualisht, situata është nën kontrollin e forcave të rendit, të cilat po vijojnë veprimet për përcaktimin e rrethanave. Pritet mbërritja e strukturave të specializuara të cilat do të bëjnë të mundur ekspertimin dhe neutralizimin e mortajës në mënyrë të kontrolluar.