Një person i moshës 75-vjeçare, i lindur në vitin 1951, është gjetur pa shenja jete në zonën e pendës së fshatit Livoq në Gjilan. Policia e Kosovës ka pranuar njoftimin për këtë ngjarje rreth orës 14:12. Pas marrjes së informacionit, në vendin e ngjarjes kanë mbërritur njësitet policore, ekipi i zjarrfikësve dhe ai i ndihmës së shpejtë, të cilët mundësuan nxjerrjen e trupit nga uji.
Mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e viktimës në vendin e ngjarjes. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për t'iu nënshtruar procedurës së obduksionit. Hetuesit nga Njësiti i Hetimeve Rajonale në Gjilan, në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin veprimet e nevojshme për zbardhjen e rrethanave të plota të rastit, i cili është regjistruar si hetim i vdekjes.