Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) zhvillon sot në orën 12:30 seancën e radhës për dosjen “Partizani”, lidhur me privatizimin e kompleksit shumësportësh Partizani. Të pandehur janë kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, Fatmir Bektashi, Xhimi Begeja dhe Andia Pustina.
SPAK ka kërkuar thirrjen e 11 dëshmitarëve, të cilët gjykata i ka pranuar. Në seancën e sotme pritet të dëshmojnë 8 prej tyre, duke nisur nga deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla, në cilësinë e kallëzuesit.
Dëshmitarët e SPAK në seancën e sotme
- Taulant Balla – kallëzuesi i çështjes
- Afrim Tole – ish-drejtor i Klubit Shumësportesh Partizani
- Isa Tare – ish-drejtor i kompleksit (1995-2005)
- Bujar Labinoti – ish-drejtor i kompleksit
- Albert Xhani – ish-president i Partizanit
- Paro Laçi – ish-president i Partizanit
- Dhurata Çela – ish-drejtoreshë e Agjencisë së Pronave për Tiranën
- Petrit Kullolli – topograf në Agjencinë e Pronave për Tiranën
Sipas dosjes së SPAK, ish-drejtorët dhe presidentët e Partizanit kanë dhënë dëshmi për procedurën e privatizimit, përfshirë premtime për apartamente ose oferta për lirimin e ambienteve. Isa Tare ka thënë se iu premtua një apartament për të mos kundërshtuar. Paro Laçi ka përmendur pazar nga njerëzit e Berishës. Afrim Tole ka dhënë pasqyrë të pronave të klubit. Dosja e Partizanit ishte ndër të parat të shqyrtuara nga Agjencia e Pronave.
Kërkesat e mbrojtjes
Në seancën e kaluar, GJKKO pranoi kërkesën e mbrojtjes së Berishës dhe Malltezit për të thirrur si dëshmitar kryeministrin Edi Rama. Ai pritet të dëshmojë në cilësinë e ish-kryebashkiakut të Tiranës, lidhur me ndryshimin e destinacionit të truallit nga sportiv në ndërtim.
Akuzat dhe masat e sigurisë
Sali Berisha akuzohet për korrupsion pasiv. Jamarbër Malltezi dhe Fatmir Bektashi – për korrupsion dhe pastrim parash. Xhimi Begeja dhe Andia Pustina – për pastrim parash. Të pandehurit kryesorë janë nën masën "detyrim paraqitje". Dosja me 333 fashikuj u dorëzua në gjykatë më 18 tetor 2024.
Përditësime
GJKKO refuzoi transmetimin live të seancës, duke lejuar vetëm procedurën teknike dhe duke nxjerrë kamerat jashtë sallës.
Zhvillime kryesore:
- Jamarbër Malltezi dhe Xhimi Begeja të pranishëm në bankën e të akuzuarve.
- Sali Berisha mungon në seancë, pasi ndodhet në Kroaci për samitin e partive të djathta.