Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) shpalli fajtorë më 12 mars 2026 pesë shtetas për veprat penale të kultivimit të bimëve narkotike, prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, si dhe për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal. Të dënuarit janë Aleksandër Rrasa, Kristjan Plepaj, Pavlin Shpati, Jeton Kacoli dhe Arben Shpati. Çështja lidhet me procedimin penal nr. 161 të vitit 2024, të nisur nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), për kultivim kanabisi në Shkodër në vitin 2023.
Gjykimi u zhvillua me rregullat e procedurës së shkurtuar. Trupi gjykues, i përbërë nga gjyqtarët Erjon Çela, Flora Hajredinaj dhe Bib Ndreca, mori vendimin nr. 23. Dënimet u llogaritën duke zbritur një të tretën për shkak të gjykimit të shkurtuar.
- Arben Shpati u dënua me 10 vite për kultivim narkotikësh, 12 vite për prodhim dhe shitje narkotikësh dhe 3 vite për grup kriminal, me total 13 vite para uljes, dhe 8 vite e 8 muaj pas saj.
- Pavlin Shpati mori 9 vite për kultivim, 10 vite për prodhim dhe shitje, 3 vite për grup, me total 10 vite e 6 muaj para uljes dhe 7 vite pas saj.
- Aleksandër Rrasa, Jeton Kacoli dhe Kristjan Plepaj u dënuan secili me 8 vite për kultivim, 12 vite për prodhim dhe shitje, 3 vite për grup, me total 12 vite para uljes dhe 8 vite pas saj.
Të gjithë do ta vuajnë dënimin në institucione të ekzekutimit të vendimeve penale të sigurisë së lartë. Palët kanë të drejtë të ankimojnë vendimin brenda 15 ditëve në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.