Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar shpalli sot vendimin për dy të akuzuarit kryesorë në atentatin e 1 nëntorit 2019 pranë mbikalimit të Shkozetit. Plaurent Dervishaj u shpall fajtor si organizator, ndërsa Julian Meçaj si pjesëmarrës në sulmin me armë zjarri.
Vendimi bazohet në provat e siguruara nga SPAK, të cilat përfshijnë komunikimet e zbardhura në aplikacionin e koduar SKY/ECC, pamjet e kamerave të sigurisë dhe dëshminë e bashkëpunëtorit të drejtësisë, Erion Alibej.
Sipas hetimeve, në atentat u qëllua mbi automjetin ku udhëtonin ish-prokurori Arjan Ndoja, shoferi Andi Maloku dhe Aleksandër Laho, i njohur si “Rrumi”. Andi Maloku humbi jetën si pasojë e plagëve, ndërsa Ndoja dhe Laho mbetën të plagosur. Në procese të mëparshme për këtë ngjarje, Redjan Rraja u dënua gjithashtu me burgim të përjetshëm, ndërsa persona të tjerë të përfshirë kanë marrë dënime të ndryshme.
Plaurent Dervishaj dhe Julian Meçaj u arrestuan në Dubai dhe u ekstraduan drejt Shqipërisë në gusht të vitit 2024. Gjatë procesit, Arjan Ndoja, aktualisht deputet, deklaroi se prania e tij në automjet me Aleksandër Lahon ka qenë rastësisht. Hetimet konfirmuan se në këtë veprimtari kriminale ishin të përfshirë edhe individë të tjerë, të cilët po gjykohen në procese të veçuara.
Përditësime
Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) vijon shqyrtimin gjyqësor për të pandehurit e tjerë të përfshirë në atentatin ndaj Arjan Ndojës. Procesi vazhdon për Amar Shkëmbin, ndërsa për Bledar Polovinën gjykata ka konstatuar gjendjen në arrati. Ndërkohë, Arjan Ndoja ka dëshmuar për herë të dytë në GJKKO, duke deklaruar se i ka identifikuar motivet e atentatit. Më herët, trupi gjykues ka dhënë këto dënime:
- Ramazan Rraja: 6 vite burgim
- Genti Ndërjaku: 5.4 vite burgim
- Bashkim Haxhia dhe Endrit Sinani: 4.8 vite burgim secili
- Julian Pjetri: 4.4 vite burgim
Gjykata e Posaçme (GJKKO) ka dënuar me burgim të përjetshëm Plaurent Dervishajn, duke pranuar plotësisht kërkesën e SPAK-ut. Në të njëjtin vendim, gjykata konfirmoi dënimet për të pandehurit e tjerë në përputhje me pretencën e prokurorisë, ndërsa identifikoi zyrtarisht Aleksandër Lahon edhe me emrin alternativ Pëllumb Muharremi.