Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) konfirmoi këtë të premte masën e sigurisë "arrest në burg" për Hasan Ndërjakun. I dyshuari u ekstradua nga Italia në Shqipëri dy ditë më parë, pasi ishte shpallur në kërkim në kuadër të operacionit të koduar "Ura". Gjatë kohës së qëndrimit në Itali, ai kishte mbajtur masën e "arrestit në shtëpi".
Avokati mbrojtës, Rigert Koni, kërkoi gjatë seancës që në gjykim të administrohej vendimi i gjykatës italiane, i cili përcakton kushtet dhe kufijtë e ekstradimit. Sipas mbrojtjes, dokumentacioni përkatës nuk është administruar as nga Prokuroria dhe as nga Gjykata. Avokati theksoi se autoritetet italiane e kanë lejuar ekstradimin vetëm për veprën penale të shitjes së narkotikëve, duke mos pranuar kërkesën për akuzën e "grupit të strukturuar kriminal".
Grupi i "Visit të Pojës" dyshohet për trafikimin e rreth 3.6 ton lëndë narkotike, kokainë dhe kanabis. Operacioni "Ura" rezultoi gjithashtu në sekuestrimin e 4 milionë eurove në para të gatshme dhe 12 milionë eurove në prona.