Gjykata Administrative e Tiranës ka kthyer për plotësim padinë e kryebashkiakut Erion Veliaj dhe Bashkisë Tiranë kundër institucionit të Presidentit të Republikës dhe prokurorit të posaçëm Ols Dado.
Sipas vendimit, padia paraqet si paditës Erion Veliaj dhe Bashkinë Tiranë, por kjo e fundit mungon vulë dhe numër protokolli. Gjykata e ka kthyer për plotësim formaliteteve, për të legjitimuar palët në proces.
Veliaj e depozitoi padinë më 23 janar 2026, ku kërkon deklarimin e pavlefshmërisë absolute të dekretit të emërimit të Ols Dado si prokuror në vitin 2008.
Sipas pretendimeve të Veliajt, emërimi është bërë në kundërshtim me ligjin, pasi Dado kaloi direkt nga statusi i noterit në atë të prokurorit, pa kryer Shkollën e Magjistraturës, kusht i domosdoshëm ligjor në atë kohë.
Ols Dado është një nga prokurorët që merret me dosjen e Veliajt në SPAK.