Gjykata Administrative e Tiranës mbajti seancën e parë të kërkesës së aktores Anila Bisha për pezullimin e ministres së Inteligjencës Artificiale, Diella, deri në shqyrtimin në themel të çështjes. Seanca u shty për datën 23 shkurt, në orën 14:00.
Avokati i Anila Bishës kërkoi shtyrjen e seancës, me arsyetimin se ishte sëmurë. Gjyqtari Armand Shkurta deklaroi se çështja e ngutshme i përket paditësit dhe jo të paditurit, prandaj pranoi kërkesën.
Në seancë ishin thirrur Agjencia Kombëtare e Informacionit (AKSHI) dhe Kryeministri, por asnjëri nuk u paraqit. Dy avokatë të tjerë nga avokatura e shtetit, të pranishëm në seancë, thanë se interesat e tyre përfaqësohen nga kjo avokaturë dhe kërkuan mos shtyrjen e seancës për shkak të emergjencës.
Diella, asistentja virtuale e platformës e-Albania, u emërua ministre e parë e krijuar me inteligjencë artificiale më 11 shtator 2025. Anila Bisha kishte pranuar më parë përdorimin e imazhit të saj për avatarin e platformës, por pretendon se nuk është pyetur për emërimin e Diellës si ministre.