Në një seancë gjyqësore të zhvilluar me dyer të mbyllura, trupi gjykues ka caktuar masën e sigurisë "arrest shtëpie" për këngëtarin Jozefin Marku dhe shtetasin Kristjan Nikolli. Të dy personat akuzohen për përfshirje në dhunën e ushtruar ndaj Eduard Kuçit, ish-konkurrent në një emision televiziv. Prokuroria kishte kërkuar fillimisht masën "arrest me burg" për të akuzuarit.
Në dëshminë e tij para gjykatës, Jozefin Marku ka kërkuar ndjesë për veprimin, duke deklaruar se incidenti ka ndodhur në një moment gjaknxehtësie. Ai theksoi se nuk e njihte më parë Eduard Kuçin përtej rrjeteve sociale, ku pretendoi se ky i fundit kishte fyer familjen e tij. Marku deklaroi se e kishte goditur Kuçin vetëm një herë me shpullë, me qëllim që të kërkonte falje për fyerjet.
Nga ana tjetër, Kristjan Nikolli ka mohuar kategorikisht të ketë qenë i pranishëm në vendngjarje, duke pohuar se në atë kohë ndodhej në një dasmë. Në lidhje me municionin e gjetur në banesën e tij, Nikolli u shpreh se fishekët ishin të ndryshkur dhe jashtë funksionit, duke deklaruar se nuk është në dijeni të origjinës së tyre.
Hetimet për rastin vazhdojnë. Ndër të tjera, po verifikohen rrethanat e konfliktit, përdorimi i mundshëm i simboleve të Polisisë së Shtetit, si dhe dëmtimet e mundshme të Eduard Kuçit. Lidhur me ngjarjen, Eduard Kuçi është shpallur në kërkim për akuzën e "moskallëzimit të krimit", pasi sipas hetimeve nuk e ka raportuar fillimisht ngjarjen në polici.