Gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për këngëtarin Jozefin Marku dhe shoferin e tij, Kristjan Nikolli, pas përfundimit të seancës gjyqësore lidhur me dhunën ndaj Eduard Kuçit. Prokuroria kishte kërkuar fillimisht masën “arrest me burg” për të dy të arrestuarit.
Hetimet për këtë ngjarje vijojnë për të zbardhur rrethanat e konfliktit dhe përfshirjen e secilit person. Prokuroria po verifikon gjithashtu përdorimin e mundshëm të simboleve të Policisë së Shtetit dhe ka kërkuar një akt-ekspertim mjeko-ligjor për të përcaktuar dëmtimet trupore të Eduard Kuçit.
Ndërkohë, ndaj Eduard Kuçit është ngritur akuza për moskallëzim krimi, pasi fillimisht nuk e ka denoncuar ngjarjen në polici, duke e përshkruar si një konflikt të thjeshtë të shkaktuar nga bllokimi i rrugës. Për këtë arsye, ai është shpallur në kërkim policor për t’u marrë në pyetje.
Në mbrojtjen e tij, këngëtari Jozefin Marku ka deklaruar pas arrestimit se irritimi i tij erdhi pasi Eduard Kuçi e kishte ofenduar në rrjetet sociale. Përveç këtyre personave, burime zyrtare bëjnë me dije se dy persona të tjerë mbeten ende në kërkim në lidhje me këtë çështje.
Përditësime
Gjatë seancës dëgjimore, Jozefin Marku pranoi goditjen ndaj Eduard Kuçit, duke e cilësuar si reagim ndaj ofendimeve në rrjetet sociale. Prokuroria zgjeroi akuzat ndaj këngëtarit, duke përfshirë 'Heqjen e paligjshme të lirisë', 'Plagosjen e lehtë me dashje', 'Kanosjen', 'Mbajtjen pa të drejtë të uniformës' dhe 'Ndërhyrjen e padrejtë në jetën private'. Nga ana tjetër, Kristjan Nikolli mohoi përfshirjen në ngjarje, duke deklaruar se ndodhej në një dasmë. Nikolli përballet me akuzat për 'Përkrahjen e autorit të krimit' dhe 'Mbajtjen pa leje të municioneve', ndërsa pretendon se municioni i gjetur në banesën e tij ishte i ndryshkur dhe i papërdorshëm.