Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër caktoi masën e sigurisë arrest në burg ndaj shtetasit V.S., 67 vjeç, i dyshuar për kryerjen e veprës penale përfshirja në marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur, të parashikuar nga neni 100/4 i Kodit Penal.
Procedimi penal nr. 111/2026 u regjistrua më 6 mars 2026 nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, mbi bazën e kallëzimit penal të një viktimë të mitur.
Nën drejtimin e kësaj prokurorie, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Gjyqësore në Drejtorinë Vendore të Policisë Gjirokastër, u ngrit një grup hetimor. Në vijim të veprimeve hetimore u zbardhën rrethanat e ngjarjes dhe u identifikuan dy shtetas të mitur të tjerë si viktima, me autor të dyshuar V.S., duke e çuar numrin e viktimave në tre.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër shpreh gatishmërinë dhe garanton një angazhim maksimal për hetimin e menjëhershëm dhe me prioritet të çdo kallëzimi penal me viktimë shtetas të mitur.