Gjykata e Posaçme ka nisur të enjten dëgjimin e dëshmitarëve të thirrur nga SPAK në procesin gjyqësor ndaj kryebashkiakut të Vaut të Dejës, Kristian Shkreli, i akuzuar për korrupsion zgjedhor.
Dëshmitari Alfred Martini, banor i fshatit Stajkë, deklaroi se ai bashkë me disa banorë të tjerë i ishte drejtuar Shkrelit për mungesën e energjisë elektrike. Sipas tij, brenda një jave u rikthyen dritat dhe më pas u investua edhe në rrugë. "Ne kemi shkuar si banorë të fshatit Stajkë, jemi ankuar tek Kristian Shkreli, se nuk kishim energji elektrike. Faleminderit prej tij, se na ka sjellë dritat. Për ne është i nderuar, i respektuar. Falë tij kemi edhe rrugën", tha Martini.
Ai sqaroi se takimi me Shkrelin u zhvillua në lokalin e tij në Kryebushat, ku banorët e kishin ftuar përmes telefonit. "Ishim pesë vetë dhe na premtoi për dritat dhe rrugën", shtoi dëshmitari, duke theksuar se ishte i kënaqur me zgjidhjen. Martini mohoi se kishte marrë ndonjë orientim nga Shkreli për zgjedhjet e 11 majit.
Prokurori Dritan Preni lexoi një përgjim telefonik të datës 18 prill 2025 midis Shkrelit dhe Martinit. Në të, Shkreli thotë: "Dritat i ke të kryme... veç për Tomën". Martini i përgjigjet: "Mos e çaj kryt". I pyetur, dëshmitari shpjegoi se "Tom" i referohej Tom Doshit dhe biseda ishte shenjë respekti.
Një përgjim tjetër i datës 6 maj 2025, midis Martinit dhe një personi tjetër, përmend një thirrje nga "Kristiani": "Vjen nesër Toma, tek Angelo në Stajkë, në orën 18:00. Na ka thirr të tanëve si banorë. E mira është me qenë aty, se na duhet edhe për rrugë edhe për gjana". Martini e cilësoi këtë si pjesëmarrje në një miting në Stajkë për shenjë respekti.
Përditësime
Gjykata e Posaçme zhvilloi seancën më 26 shkurt. Dëshmitarët nga fshati Stajkë dëshmuan se zona kishte mbetur pa energji elektrike për 22 vite para ndërhyrjes së Kristian Shkrelit. Dëshmitari Alfred Martini mohoi se Shkreli i kishte ofruar para, vend pune ose përfitime të tjera në këmbim të votës. Dëshmitarë të tjerë nga Stajkë konfirmuan mungesën e energjisë elektrike.
Gjykata e Posaçme dëgjoi një përgjim të ri të 13 prillit 2025 midis Kristian Shkrelit dhe Martinit, të përshkruar si diskutim për takimin e energjisë.
Dëshmitarët identifikuan banorët: Kol Martini, Dodë Martini dhe Kol Koleci.
- Ata deklaruan se nuk e njohin kryeplakun apo të tjerët dhe iu drejtuan direkt kryebashkiakut.
- Një dëshmitar tha: 'Toma është socialdemokrat'.
Gjykata e Posaçme dëgjoi nëntë dëshmitarë të propozuar nga SPAK në procesin ndaj Kristian Shkrelit.
Zhvillimet kryesore:
- Kol Koleci dëshmoi: "Jemi ankuar tek ky zotni dhe na ka zgjidhur punën. Kristiani na ka sjellë korrentin dhe rrugën e makinës."
- Dëshmitarët pranuan kërkesë për pjesëmarrje në mitingun e PSD, por mohuan orientim votash.
- Një dëshmitar deklaroi në SPAK se Shkreli i tha: "T’i japim zjarr për Tom Doshin."