Në Gjykatën e Posaçme (GJKKO) u mbajt seanca e radhës ndaj kryetarit të Bashkisë së Vau të Dejës, Kristian Shkrelit, kundër të cilit SPAK ka ngritur akuzën e korrupsionit aktiv në zgjedhje. Seanca u zhvillua më 2 prill 2026, ku Prokuroria e Posaçme vazhdoi pyetjen e dëshmitarëve.
SPAK kundërshtoi të paktën dy dëshmi, për të cilat gjykata pranoi kundërshtimet. Pretendimi ishte se dëshmitarët kishin dhënë deklarata të ndryshme në gjykatë krahasuar me ato në fazën e hetimit në Byronë Kombëtare të Hetimit, lidhur me votat në këmbim të punimeve për energjinë elektrike në fshatin Stajkë dhe përdorimin e mjeteve.
Dëshmitari Dod Martini, banor i Stajkës, deklaroi se fshati kishte mbetur 20 vite pa drita. Ai tha se kishte ankuar te Shkreli dy vite më parë bashkë me vëllain Kola dhe të tjerë, por nuk kishte diskutuar për vota apo mbështetje politike gjatë takimit. Ai përmendi se kishte qenë në Itali që nga qershori 2025. Prokurori Prençi citoi dëshminë e mëparshme të Martinit në SPAK: "Gjatë takimit kryetari na kërkoi mbështetjen për Tom Doshin, pas takimit vendosi shtyllat elektrike". Gjykata pranoi kundërshtimin e SPAK-ut.
Dëshmitari Frrok Marku, punonjës i OSHEE-së në Vau të Dejës, tha se në Stajkë u bë remont para zgjedhjeve, me materiale shtetërore dhe mjete, duke përmendur një fadromë. Ai deklaroi se zona kishte qenë pa drita për vite dhe se Shkreli nuk e kishte kontaktuar për vota apo mbështetje. Investimi, sipas tij, nuk kishte lidhje me Bashkinë.
SPAK kundërshtoi gjithashtu deklaratat e Izmir Mucakut dhe Antonio Bashajt si të kundërta me hetimet. Gjykata vendosi të thërrasë katër dëshmitarë të tjerë më 27 prill.
Sipas SPAK-ut, hetimet u mbyllën në muajin tetor, duke evidentuar se Shkreli, socialist, shfrytëzoi nevojat për infrastrukturën elektrike në Stajkë gjatë fushatës për të kërkuar vota për Partinë Socialdemokrate të Tom Doshit.