Gjykata e Sarandës zhvilloi sot seanca për masat e sigurimit ndaj Kostandin Voglit, 31 vjeç, dhe Tori Ruçit, 50 vjeç, i njohur si Viktor Ruçi. Ngjarja lidhet me konfliktin e pronësisë për një beach-bar në bregdetin e Bashkisë Himarë, që degjeneroi në sherr me sende të forta dhe vrasjen e Rexhep Ismailit, 66 vjeç, mbrëmjen e 7 majit në fshatin Gjashtë të Sarandës.
I pari u paraqit Tori Ruçi, i cili ishte me masë arrest në shtëpi për "moskallzim i krimit". Gjyqtari Mikel Hysometaj vendosi vazhdimin e saj, duke e ndaluar largimin nga banesa në Gjashtë. Ruçi ka dënim të mëparshëm për "prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike".
Prokurorja Armida Kaçi dhe gjyqtari Mikel Hysometaj u zhvendosën në Spitalin Petro Nako të Sarandës, ku është i shtruar nën masa sigurie Kostandin Vogli, i plagosur me armë zjarri në këmbë. Prokuroria ngriti akuzat për "moskallzim i krimit", "shkatërrim i pronës" dhe "kanosje", të kryera në bashkëpunim. Gjyqtari Hysometaj caktoi arrest në burg.
Gjykata shprehu mendim të ndryshëm për cilësimin ligjor. Bazuar në aktet e paraqitura, cilësimi i duhur është vrasje me dashje e kryer në bashkëpunim dhe mbetur në tentativë, moskallzim i krimit si dhe shkatërrim i pronës në bashkëpunim.
Përditësime
Burimi 3 zbuloi se konflikti mes Kostandin Voglit dhe Viktor Ruçit lind nga një shumë parash të pretenduara të papaguara, të lidhura me punësimin e bashkëshortes së Ruçit në lokal të Voglit në plazhin e Krorëzës.