Rexhep Ismaili, 66 vjeç, humbi jetën në vendngjarje mbrëmjen e enjtes rreth orës 21:28 në lokalin e tij, të vendosur pranë kryqëzimit të rrugës Sarandë–Himarë. Ngjarja ndodhi kur një grup prej 6 të rinjsh hyri në lokal, ku ndodheshin të ulur Ismaili, Viktor Ruci (njohur si Tori Ruci), 50 vjeç, dhe tre persona të tjerë familjarë ose miq të tyre.
Sipas burimeve pranë grupit hetimor, të rinjtë nuk e kishin Ismailin si objektiv kryesor. Ata shkuan në lokal pasi kishin informacion se aty gjendej Viktor Ruci, me origjinë nga Tepelena dhe banues prej vitesh në fshatin Gjashtë të Sarandës. Ruci ka precedente penale të shumta që prej fillimit të viteve 2000. Ai u përfshi në një grup trafiku droge të goditur nga policia e Sarandës në vitin 2018. Më 19 shkurt 2026, policia e ndaloi për një dënim në mungesë prej 8 muajsh burg për veprën penale "moskallëzim krimi", të dhënë në vitin 2019. Ruci u lirua më 12 mars 2026, pasi dënimi parashkrohet.
Hetimet paraprake tregojnë se një prej të rinjve kishte mosmarrëveshje me Rucin për çështje pronësie lidhur me një lokal në zonën bregdetare. Për këtë arsye, ai kishte kërkuar ndihmën e shokëve dhe së bashku kishin shkuar në lokal. Menjëherë pas mbërritjes, mes palëve nisi një konflikt fizik me sende të forta, ku objektivi kryesor ishte Ruci.
Pas përplasjes, Rexhep Ismaili hyri brenda lokalit, doli me një armë zjarri tip Kallashnikov dhe qëlloi disa herë në drejtim të grupit të të rinjve. Nga të shtënat, njëri prej tyre mbeti i plagosur. Grupi i të rinjve kundërpërgjigjej me armë zjarri tip pistolë dhe e qëlloi Ismailin me një plumb në kokë. 66-vjeçari ndërroi jetë në vend.