Gjykata Kushtetuese ka vendosur të kalojë për shqyrtim në seancë plenare ankimin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, kundër masës së arrestit me burg.
Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese mori këtë vendim mbi bazë dokumentesh.
Ankimi u depozitua në nëntor 2025 nga ekipi i mbrojtësve të Veliajt. Ai kërkon shfuqizimin e vendimeve:
- Nr. 7, datë 9 shkurt 2025, i Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, vleftësuar me nr. 14, datë 12 shkurt 2025;
- Nr. 13, datë 13 mars 2025, i Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar;
- Nr. 00-2025-1153 (176), datë 8 korrik 2025, i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.
Sipas Veliajt, këto vendime shkelin Kushtetutën për shkak të mosrespektimit të të drejtës për proces të rregullt ligjor, proporcionalitetit të masës së sigurimit dhe prezumimit të pafajësisë.
Erion Veliaj është i pandehur nga SPAK për pesë vepra penale, midis të cilave korrupsioni dhe pastrimi i parave. Ai ndodhet në paraburgim që nga shkurti 2025.
Javën e kaluar, Veliaj paditi në Gjykatën Administrative Presidencën dhe prokurorin e SPAK-ut, Ols Dado, me pretendimin se ky i fundit është emëruar prokuror pa mbaruar Shkollën e Magjistraturës.
Përditësime
Kolegji i tre gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese nuk arriti konsensus për ankimin e Erion Veliajt kundër arrestit, duke e kaluar çështjen në Mbledhjen e Gjyqtarëve.
Erion Veliaj mohoi akuzat e SPAK-ut dhe i vlerësoi si të pabazë në prova.
Akuzat specifike:
- Pastrim parash
- Mosdeklarim i pasurisë
- Korrupsion pasiv
- Shpërdorim detyre