Gjykata Kushtetuese ka vendosur shfuqizimin e vendimit nr. 00-2025-658, të datës 22 prill 2025, të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, duke e vlerësuar atë si të papajtueshëm me Kushtetutën. Për rrjedhojë, çështja që lidhet me masën e sigurisë ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha kthehet për rishqyrtim në Gjykatën e Lartë. Gjithashtu, gjykata ka urdhëruar që shpenzimet e përfaqësimit për kërkuesin Sali Berisha, në vlerën 60.000 lekë, t'i ngarkohen Ministrisë së Financave.
Kjo betejë ligjore ka nisur pas vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar të datës 3 janar 2025, i cili zëvendësoi masën e sigurisë “Arrest shtëpiak” me “Detyrim Paraqitje”. Ish-kryeministri Sali Berisha kishte kundërshtuar kufizimet e vendosura ndaj tij në kuadër të procedimit penal për kompleksin sportiv “Partizani”, duke kërkuar shpalljen e tyre si antikushtetuese.
Në këtë dosje hetimore, SPAK akuzon Sali Berishën për shfrytëzim të postit të kryeministrit për miratimin e akteve ligjore në favor të dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi. Sipas prokurorisë, Jamarbër Malltezi, gjithashtu i pandehur, ka përfituar në mënyrë të paligjshme rreth 5.4 milionë euro përmes një projekti ndërtimi të realizuar në truallin ku ndodhej ish-klubi sportiv.
Përditësime
Gjykata Kushtetuese urdhëroi Ministrinë e Financave të mbulojë shpenzimet e përfaqësimit për Sali Berishën dhe sqaroi antikushtetutshmërinë e vendimit të mëparshëm të Gjykatës së Lartë.
Gjykata Kushtetuese shfuqizoi vendimin e Gjykatës së Lartë dhe e ktheu çështjen e Sali Berishës për rishqyrtim.