Gjykata Themelore në Ferizaj shpalli aktgjykim dënues ndaj kompanisë “E.D&C” SH.P.K dhe personit V.H., për veprën penale të mashtrimit.
Trupi gjykues, pas shqyrtimit dhe administrimit të provave, shpalli fajtore kompaninë “E.D&C” SH.P.K dhe e dënoi me gjobë në shumën 6.000 euro, e cila paguhet brenda 30 ditëve pas marrjes së formës së prerë të aktgjykimit.
Ndërkaq, V.H., në cilësinë e personit përgjegjës, u dënua me dy vjet burgim dhe gjobë 2.000 euro. Këto dënime ekzekutohen pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.
Sipas aktakuzës, më 15 maj 2019 në Ferizaj, i dëmtuari R.H. shkoi në zyrën e kompanisë për të diskutuar përgatitjen e një plani biznesi për aplikim në grant bujqësor, të pretenduar si të financuar nga shtete të huaja. V.H. i premtoi se me pagesë 4.280 euro në llogarinë e kompanisë dhe 800 euro shtesë për planin, do të përfitonte një traktor me vlerë rreth 25.000 euro.
Pas pagesave, V.H. nuk iu përgjigj më dhe nuk u kthyen paratë, duke mos dhënë asnjë grant. Kështu, R.H. pati dëm material rreth 5.080 euro.
Gjykata caktoi me aktvendim të veçantë masën e paraburgimit ndaj V.H., e cila zgjat deri në formën e prerë të aktgjykimit, por jo më shumë se koha e dënimit të shqiptuar.
Palët kanë të drejtë ankese brenda 30 ditëve nga pranimi i aktgjykimit me shkrim, në Gjykatën e Apelit në Prishtinë përmes Gjykatës Themelore në Ferizaj.
Përditësime
Mimoza Maloku Shabani, gjyqtare kryesuese, shqiptoi dënimin kundër kompanisë sipas nenit 323 par. 1 në lidhje me nenin 37 të KP-së dhe kundër V.H. sipas nenit 323 par. 1 të KP-së. Vendimi u mbështet në provat personale dhe materiale.